Shkruaj perberesin ...

Monday, April 16, 2012

Krypaneci me hislla i nanes

  



B.: Alo, e di çar kam gjet sot ne markate?...hisllaaa!!!!
Gjyshja e B.: Ah per krypanec!
B.: Pranej t'mora nime n'telefon...t'me tregosh qysh e ban ti krypanecin.. Kam ble gjysem kile hislla me nane. 4 euro m'i dha katunari qe ju bafshin ilaçe e sulfur ishalla!
Gjyshja e B.: He se iher blihen ato! Hisllat futi n'qese plastmasi ene shtypi me dur. Po kujdes se t'i nezin duret hor ato te shkreta... se bani krypanec teta V. para ca ditesh po iu bane duret cope. Masanej shplaji me uje se kushedi çar plenash kane, ene griji imet. Grij ene nje tufe me qepe te njoma. 
Hudhi krype..po jo shum se hislla asht si spinaqi, nuk e man krypen ene shtypi me dur derisa t'i dali langu hisllave.
B.: Po erza ti hudh?
Gjyshja: hudhi po pak fare se ia prish lezetin. Hudhi ene voj. Do voj shum...gati nji bardhak voj...Po millin e misrit e ke te sit? 
B.: m'ka met gjys kile nga ballakumet...
Gjyshja: Aaa tamam! Perdore se thartohet mas içike mill i misrit.... Eh kshu, perziji bashke, provoje iher per krype perpara se ta fusesh n'furre ene piqe isoj si dhallturen.




P.S.: ...edhe une e bera si dhallturen. E njoma siperfaqen e krypanecit me içik uje te ngrohte dhe e poqa ne furre ne temp. 220°C per afro 35-40 minuta. 
Sapo u ftoh pak e preva ne kubike dhe e servira me tarator.





Sunday, April 15, 2012

LA PIZZA



Jo me kot e shkrova titullin me shkronja te medhaja pasi pizza qe dua t'ju percjell sot eshte njesoj si pizza-t qe serviren ne jug te Italise, pra eshte e trashe dhe karakterizohet nga ato dhomezat e ajrit qe formohen gjate pergatitjes se brumit.
Mua pelqen shume pizza e trashe, por ketu, si kudo ne veri apo jashte Italise, e bejne pizza-n e holle dhe e stermbushin me harxh, prandaj shpeshhere kur me shkon mendja per pizza te trashe e bej vete.

Proçedura eshte e lehte, ama kerkon içik durim...mgjth kur ia dal une mund t'ia dale gjithekush.
E rendesishme eshte te perdoren produkte cilesore dhe te mos ekzagjerohet me harxhin. Ne rradhe te pare mielli duhet te kete nje fortesi W250 (kontrolloni mire etiketen e miellit!), maja e birres duhet te jete e fresket, salcen e domates eshte me mire ta pergatitni vete sepse ne kete rast i jep pizza-s embelsine e duhur, mozzarella duhet te jete e cilesishme dhe e kulluar mire, vaji gjithashtu duhet te jete extravergine dhe borziloku i fresket....Pra, eshte nje recete aq e varfer por ne te njejten kohe behet unike fale cilesise se produkteve.




Perberesit per 3 tepsi me permasa 30 x 35:

900 gr miell (une perdor 2/3 miell 00 me fortesi W250 dhe 1/3 miell 0)
720 gr uje
50 gr vaj ulliri
5 gr maje birre e fresket
18 gr kripe
1 luge e vogel mjalte
semola pra grure i bluajtur trashe (i njejti qe perdoret per taglietelle dhe per gnocchi alla romana)

mozzarella di buffala
borzilok
salce domateje
sallam pikant
ullinj pikant
proshute etj etj.

Pergatitja:
per pergatitjen e kesaj pizza duhet te zgjoheni ne pike te sabahut, siç benin dikur nenat e gjyshet, te cilat e fillonin gatimin ne mengjes per ta perfunduar ne orar dreke. Madje kjo recete zgjat akoma edhe me shume, duhet ta filloni ne mengjes e ta piqni ne darke. 

Shkrijme 5 gr maje birre te fresket dhe 1 luge te vogel mjalte ne 450 gr uje dhe i shtojme pak e nga pak 450 gr miell. I perziejme me dore dhe e leme te pushoje ne nje vend te ngrohte deri pas mesdite.
Une e zura brumin rreth ores 8.00 te mengjesit dhe e lashe deri me 13.00.


brumi ne oren 13.00

Me pas i shtojme ujin dhe miellin e mbetur dhe e punojme brumin per disa minuta. Ne fund i shtojme vaj ulliri, kripe dhe e punojme perseri derisa brumi t'i thithi.
E leme brumin te bymehet ne vend te ngrohte per 3 ore te tjera.
Pas 3 oresh shtrojme ne planin e derrases pak semola dhe mbi te hedhim brumin e pizza-s. E ndajme ne 3 pjese.
Palosim secilen pjesem me 4sh, e mbulojme me qese kuzhine dhe e leme ne vend te ngrohte derisa te trefishoje vellimin.



Pasi ka trefishuar vellimin, marrim nje tepsi me permasa 30 x 35 (tepsine katrore te furres) dhe e lyejme me vaj.
Ashtu siç i kemi duar me vaj, shtrojme nje nga topat e brumit. 
E hapim me mollezat e gishtave derisa te mbulohet e gjithe siperfaqja e tepsise.
E leme 20 minuta te tjera te pushoje dhe nderkohe ndezim furren ne temp. 250°C.

Lyejme siperfaqen e pizza-s me salce domateje te holle dhe e sperkatim me kripe.




E vendosim tepsine ne pjesen e poshtme te furres per 15 minuta, me pas e nxjerrim dhe i shtojme perberesit e tjere te pizza-s, mozzarella-n dhe borzilokun, te dy te copetuar me dore, dhe e rivendosim ne pjesen e siperme te furres (ose per ta bere kerce ndizni hellin) per me pak se 10 minuta te tjera.
E sherbejme te ngrohte me nga nje gote birre te ftohte dhe besomeni qe do ju dale nga "the bottom of the heart" nje AHHHHHHHH!!!! :))))



Saturday, April 14, 2012

Torta e Eves



Kush eshte Eva?...Eva eshte kusherira ime. E si te gjitha kusherirat e mija eshte shume e zonja ne gatim....(te jete çeshtje gjenesh? Te kete te beje me faktin qe kemi lindur ne nje qytet si Elbasani?...Boh! :)). 
Per te konfirmuar kete qe thashe me siper, ja, prova.
Nje torte me aromen e mrekullueshme te mandarinave.
Shume flm Eva.



Torta me mandarina e Eves

Perberesit per nje tepsi me diameter 26 cm:
Eva ka marre si njesi matese nje gote uji, pra 200 ml.

1 gote vaj ulliri
1 gote leng mandarinash
1 gote e gjysem miell 00
2 gota sheqer
4 veze
nje pako pluhur pjekes

Per sherbetin:
6-8 mandarina
3 gota sheqer
2 gota e gjysem uje
gjethe livandoje (fakoltavive)

Pergatitja:
rrahim vezet me sheqerin derisa ky i fundit te shkrihet.
I shtojme mases vajin e ullirit, lengun e mandarinave dhe miellin te cilin e kemi situr bashke me pluhurin pjekes.
I perziejme qe masa te homogjenizohet.
Lyejme nje tepsi me gjalp dhe miell. Shtrojme masen e tortes dhe e pjekim ne temp. 180°C per afro 40 minuta (derisa te rezultoje e pjekur pas proves se kruajtes se dhembeve).

Per sherbetin ziejme ne uje me sheqer mandarinat e prera ne feta derisa te leshojne esencen e tyre dhe lengu te trashet, pra per afro 30-40 minuta.
Une e aromatizova sherbetin me gjethe livandoje.




Pasi jane ftohur pak, njomim torten me sherbetin dhe e leme disa ore qe ta thithi. 
E vendosim ne frigorifer deri ne momentin e servirjes.
E servirim me fetat e mandarinave qe na sherbyen per sherbetin.
Gjak e dhjame :D

Wednesday, April 11, 2012

Tave me koke qingji dhe patate

Kuzhina e Sardegna-s me pelqen jashte mase sepse i afrohet shijeve te mia ballkanike. Ashtu si kuzhina greke, sidomos ajo e ishujve, apo kuzhina e Rivieres shqiptare, eshte nje kuzhine e thjeshte por, fale karakteristikave morfologjike dhe klimes, e forte ne shije dhe aroma. 
Te ngreje doren kush ka ngrene qingj te pjekur e te shoqeruar me pilaf e kos ne Llogara dhe nuk eshte mahnitur nga shija e tyre?
...idem me produktet e Sardegna-s. 
Por kuzhina e Sardegna-s ka pasur avantazhin e evoluimit dhe te pasurimit me prurje nga gadishulli, ndersa fatkeqesisht kuzhina jone deri me vitet '90 ne mos u varferua qendroi ne vend, sepse kontakti me kuzhinat e tjera ishte i pamundur. 
Zona ku jetoj une eshte malore (ne fakt une jetoj buze Dolomiteve...me malore se kaq! :)), e ketu mishi i qingjit eshte i fresket dhe i shijshem, por i mungon pikerisht ajo shija e forte per te cilen fola me siper, prandaj kokat e qingjit me pelqen t'i gatuaj sipas kesaj recete nga Sardegna, e cila eshte nje kombimin i recetes antike me prurjet e gadishullit italian.







Tave me koka qingji dhe patate


Perberesit per 2 persona:

1 koke qingji e ndare ne 2 pjese
3-4 luge buke e grire
sherbele e fresket
rozmarine e fresket
pecorino sardo por edhe djathi kaçkavall ben pune
vaj ulliri 
kripe
patate sipas deshires

Pergatitja:
pastrojme ne uje te bollshem kokat e qingjit. 
qerojme dhe presim ne copa te medhaja patatet. I vendosim patatet ne nje tave te lyer me vaj ulliri dhe i rregullojme me kripe.
Vendosim mbi to kokat e qingjit duke i mbeshtetur nga pjesa e syrit.
I sperkatim 2 gjysmat e kokes me buke te grire, rozmarine, sherbele, djathe kaçkavall te grire, kripe dhe piper. 
I hedhim vaj ulliri, 2 gota uje dhe i pjekim ne furre ne temp. 230 per rreth 40 minuta duke i njomur here pas here me lengun e tyre.

Gjak e dhjame :D

Tuesday, April 10, 2012

Sallata me veze dhe veza me kemishe




Pas drekes se Pashkes kjo sallate ta sjelle midene ne vend, ndersa kjo kenga ketu poshte ndihmon ne humbjen e kalorive te marra :)







 

Sallata me veze dhe veza me kemishe
veze me kemishe (uovo in camicia) italianet quajne vezen e zier pa levozhgen. Quhet keshtu sepse gjate kesaj proçedure gatimi e verdha vishet plotesisht nga e bardha. 



spinaq i fresket me gjethe te vogla
brese (cicoria)
rukola
sallate jeshile
radhiqe
radhiqe te bardha 
domate qershize
djathe Spressa (http://www.formaggio.it/spressagiudicarie.htm) por mund ta zevendesoni fare mire me djathe pecorino ose kaçkavall
kripe
piper
vaj ulliri i nje cilesie shume te mire
uthull balsamike
veze
uthull vere e bardhe

Pergatitja:
lajme, pastrojme dhe presim me duar perimet. I vendosim ne pjatancen e servirjes bashke me domatet.
Thekim fetat e bukes.
Mbushim nje tenxhere me uje dhe i hedhim 1 luge te vogel uthull vere.
E vendosim mbi zjarr derisa te arrije temp. e vlimit. Sapo e ka arritur, e ulim pak temp. e zjarrit. 
Ne nje tas thyejme me kujdes vezen dhe e hedhim ne tenxhere. Por para se te hedhim vezen, marrim telin e kuzhines dhe perziejme ujin ne menyre qe te na formohet nje vorbull. E hedhim vezen menjehere ne mes te vorbulles. Vorbulla e krijuar ben qe e bardha e vezes te mbeshtjelle te verdhen.
E leme vetem 3 minuta sa e bardha te mpikset.
Vendosim mbi sallate fetat e thekura te bukes dhe mbi to vendosim me kujdes vezen me kemishe.
E shpojme me pirun te verdhen e vezes ne menyre qe te kulloje mbi fetat e bukes dhe sallates... te pakten mua keshtu me pelqen :)
Presim disa feta shume te holla djathi dhe i shperndajme mbi sallate.
Pergatisim nje dressing me 1 luge uthull balsamike, 2 luge vaj ulliri, piper te zi dhe pak kripe. E perziejme dhe i japim shije sallates me kete dressing.

Gjak e dhjame :D


Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...