Shkruaj perberesin ...

Sunday, March 31, 2013

Momente Pashke 2013


"O ma me premtove qe do te thyejme vezet e kuqe.." 
"Eheee....te premtova, por jo me 7 te mengjesit"
E keshtu u ngrita nga krevati gjithe pertese per te nisur nje dite feste, por qe une nuk e ndjeva si feste. 
I mungonte kesaj feste tavolina e shtruar per 8-10 persona, muhabetet me ze te larte, qeshjet, perplasjet e cingerrimat e pjatave dhe gotave. Shkurt i mungonte atmosfera...



Por te pakten koha u tregua bujare. Te pakten ate kohe qe qendrova ne kuzhine me shoqeroi dielli. Gjysma e te keqes apo jo....tani eshte bere prape per shi.
Ah sot me shoqeroi (perveç hanes15she qe shtroi tavolinen) edhe nje kantautor italian, Rino Gaetano.


  



Disa nga recetat qe do te doja te shenoja jane:

nje tip krypaneci ose pispiliti me jeshilliqe dhe djathe deleje

Perberesit per nje tepsi te vogel si ne foto:

200 gr miell misri
25 gr miell gruri
250 gr spinaq
100 gr lepjete
1 qepe e njome
koper e fresket
majdanoz i fresket
1 veze
200 ml qumesht
150 gr djathe deleje (Feta greke)
kripe
piper
vaj ulliri
gjysem luge e vogel pluhur pjekes

Pergatitja:

shpelajme dhe grijme imet spinaqin, lepjeten dhe qepen e njome. I hedhim pak kripe dhe i shtypim me duar.
Ne nje tjeter tas rrahim vezen me qumeshtin dhe rreth 6-7 luge vaj ulliri. I shtojme djathin e shkermoqur, piperin, miellin e misrit, pluhurin pjekes dhe miell gruri.
I shtojme gjithashtu edhe jeshilliqet e shtypura dhe e perziejme masen mire e mire.
Lyejme me vaj ulliri nje tepsi dhe e sperkatim bollshem me miell misri.
Hedhim masen ne tepsi dhe e njomim me pak uje te vaket dhe vaj ulliri.
E pjekim ne furren e ngrohur paraprakisht ne temp. 180°C per afro 1 ore ose derisa siperfaqja te marre nje ngjyre te arte.
E servirim te ngrohte me djathe deleje ose gjize dhije.




Mish qingji ne salce vere

Perberesit:

1kg mish qingji i njome
vaj ulliri 
1 dege selino
1 dege rozmarine
1 gjethe dafine
1 tufez sherebele
1 tufez majdanoz
1 tufez hudher gjarpri
leng perimesh
gjysem gote vere Chianti
kripe 
piper

Pergatitja:
ne nje tepsi te ceket shtrojme degen e selinos dhe erezat e fresketa te grira imet. Mbi to vendosim copat e mishit. I sperkatim me vaj ulliri extravergine dhe i pjekim ne furren e ngrohur paraprakisht ne temp. 200°C per afro 10 minuta. 
Pas 10 minutash, i shtojme 2 gota leng perimesh dhe e gatuajme ne furre per 20 minuta te tjera. 
Pas kesaj kohe i heqim copat e mishit dhe i vendosim ne nje tave balte, te cilen e mbajme ne vend te ngrohte (ne furren e fikur psh.) te mbuluar me leter alumini.
Mbetjet e tepsise, erezat dhe degen e selinos, i vendosim ne nje tenxhere. I shtojme veren dhe i ziejme derisa lengu te trashet pak. 
Me pas e filtrojme dhe ia hedhim copave te mishit.
E servirim me qepujka ne uthull balsamike dhe patate gratin.





Qepujka ne uthull balsamike

500 gr qepujka 
90 ml uthull balsamike e Modena-s
90 ml leng portokalli
kripe
piper
vaj ulliri extravergine
trumez
1 thelb hudher

Pergatitja:

pastrojme qepujkat dhe i skuqim ne vaj te nxehte per afro 9 minuta se bashku me hudhren, duke i kaverdisur here pas here.
I shtojme uthullen balsamike dhe lengun e portokallit dhe i gatuajme ne zjarr mesatar, derisa te zbuten dhe lengu te trashet si sherbet.





Patate gratin

Perberesit:
500 gr patate
300 ml qumesht
3 luge pana
1 thelb hudher
arre moskat
pak gjalp
kripe
piper
djathe parmigiano reggiano i grire
Pergatitja:
ndezim fillimisht furren ne temp. 150°C.
Qerojme hudhren. E hedhim ne nje tenxhere bashke me qumeshtin dhe panen dhe i leme ne zjarr te ulet derisa te arrijne temp. e vlimit.
Patatet i qerojme, i lajme dhe i thajme me leter kuzhine.
I presim ne feta te holla dhe i hedhim ne tenxheren ku kemi qumeshtin e vluar.
I shtojme kripe, piper dhe arre moskat dhe i gatuajme per 5 minuta. 
Lyejme me gjalp nje tave balte dhe me shume kujdes shtrojme patatet. I sperkatim me djathe parmigiano reggiano te grire dhe pak gjalp ne siperfaqe dhe i pjekim per afro 45 minuta derisa te marrin nje ngjyre te bukur ne siperfaqe.



Argjinare ne salce hollandeze

Perberesit: 

4 argjinare 
1 thelb hudher
2 fije majdanoz
leng limoni
disa kokrra piperi
kripe
vaj ulliri

Per salcen hollandeze:
2 te verdha vezesh
150 gr gjalp 
5 ml uthull vere te bardhe
25 ml vere e bardhe
35 ml uje i vaket
kripe
piper
leng limoni 

Pergatitja:
per salcen hollandeze fillimisht shkrijme gjalpin ne zjarr te ulet.
Ne nje tenxhere hedhim veren e bardhe, uthullen e veres dhe ujin dhe i vlojme derisa te shterojne ne gjysmen e vellimit.
Rrahim me rrahes elektrik te verdhat e vezeve ne nje tas te pershtatshem per t'u perdorur me pas ne banjomaria dhe i shtojme gradualisht dhe pa pushuar rrahjen lengun e perftuar me siper.
E vendosim tasin mbi nje tenxhere me uje dhe e veme mbi zjarr te ulet. E mbajme temperaturen e zjarrit gjithmone te ulet, ne menyre qe uji te mos arrije temp. e vlimit.
Duke rrahur masen ne banjomaria, i shtojme gjalpin e shkrire e tashme te vaket dhe e rrahim masen derisa te perftojme nje salce te ngjashme me majonezen.
Ne fund i shtojme piper te bardhe, kripe dhe leng limoni sipas deshires dhe e servirim me argjinaret.
Argjinaret pasi i qerojme dhe pastrojme, i ziejme bashke me pak majdanoz, leng limoni, piper dhe kripe. Ngrohim pak vaj ulliri dhe hudher te grire ne nje tigan dhe i skuqim per pak minuta argjinaret e zier. I servirim me salcen hollandeze.



Si embelsire kete viti zgjodha Eton Mess, qe eshte tejmase e thjeshte, e mire dhe pranverore. Praktikisht pergatitet per 5 minuta.
E vetmja gje e veçante eshte marinatura e luleshtrudheve ne leng shege, sipas recetes se Nigella Lawson.
Une e shoqerova me colomba te gatshme.


Eton Mess me leng shege

Perberesit:
500 gr luleshtrydhe 
2 luge te vogla sheqer
2 luge te vogla leng shege 
500 ml pana per embelsira
mafishe

Pergatitja:
presim ne copa te vogla luleshtrydhet. I shtojme sheqerin dhe lengun e sheges dhe i leme te marinohen.
Nderkohe rrahim panen dhe shkermoqim mafishet.
Hedhim ne çdo tas pak pana te rrahur, mafishet e shkermoqura dhe luleshtrydhet me lengun e tyre. 
E sherbejme menjehere.

Gezuar Pashken! 


Saturday, March 30, 2013

Casatiello napoletano, nje "must" per Pashken






Casatiello napolitano (recete tipike napolitane qe pergatitet per Pashke, sipas recetes se librit "Il cucchiaio d'argento")



Perberesit:
600 gr miell (receta nuk e theksonte ç'lloj mielli duhej perdorur, une perdora miell 0)
225 gr sallo derri (strutto, italisht)
200 gr sallam napoletan
1 kub e gjysem maje birre e fresket, pra afro 30 gr.
kripe
piper
1 luge djathe pecorino romano 
2 luge djathe parmigiano reggiano 


Pergatitja:

sitim miellin ne planin e derrases dhe formojme nje grope ne mes tij.
Tresim majen e birres ne nje gote uje te vaket bashke me kripen.
E hedhim kete mase te lengshme ne gropen e formuar. 
I shtojme 50 gr sallo derri dhe e punojme masen derisa te perftojme nje brume kompakt dhe elastik, kuptohet duke i shtuar uje nese e shohim te nevojshme. 
Lyejme me dhjame derri nje tas dhe vendosim brumin te bymehet per afro 2 ore.
Pasi brumi ka dyfishuar vellimin e tij, e punojme perseri dhe e hapim ne nje pete te madhe duke perdorur mollezat e gishtave.
Heqim veç pak brume per dekorimin.





Lyejme peten me sallo derri dhe shtrojme mbi te sallamrat e prere ne kubike te vegjel, djatherat dhe e sperkatim me piper te zi.

Sipas recetes duhen vetem 3 luge djathe, ndersa une i hodha plot 6 luge.

E palosim peten me dysh dhe proçedojme si me siper: e lyejme me sallo derri dhe e sperkatim me sallam, djathera & piper. Me pas e palosim perseri dhe perseri proçedojme si me siper, derisa t'i japim brumit formen e nje sallami.
Lyejme me vaj ulliri nje tepsi ne forme unaze dhe shtrojme casatiello-n.
E leme te pushoje per 3 ore te tjera.

Mbi casatiello vendosen veze te paziera, te cilat dekorohen me brume, por une preferova vetem ta dekoroj dhe ta perdor si tas per vezet e ngjyrosura.



E lyejme siperfaqen me sallo derri dhe e pjekim ne furre ne temp. 180°C per afro 1 ore.

Gezuar Pashken!


Monday, March 18, 2013

Rizoto me gjalp kikirikesh asian style








Perberesit per 2-3 persona

per rizoton:
150 gr oriz carnaroli per risotto
30 gr gjalp kikirikesh (peanut butter crunchy)
leng perimesh
gjysem luge gjalp 
pak vaj ulliri
kripe

Per harxhin:
1 kungull jeshil
2 bishta qepe te njome
1 karrote e grire fije-fije
1 luge gjalp 
1 luge gjelle gjalp kikirikesh 
1 luge gjelle uthull orizi (ose ne pamundesi uthull vere e bardhe)
kripe
pak xhinxher
vaj ulliri

Duhet te theksoj qe ky eshte version shtatzanie. Per njerezit normale qe s'iu shpifet mishi ne harkun e disa oreve, duhet shtuar:

200 gr mish viçi
leng mishi

Pergatitja:

nxehim vaj ulliri ne nje tigan dhe skuqim mishin e prere ne copa te vogla.  E shuajme me nje luge uthull orizi ose ne pamundesi uthull vere dhe e kaverdisim duke e tundur tiganin ne ajer derisa uthulla te avulloje.
I shtojme 1 luge gjalp kikirikesh dhe 2-3 garuzhde leng mishi. 
E gatuajme ne zjarr mesatar per afro 1 ore, duke i hedhur here pas here leng mishi, ne menyre qe te mos shteroje dhe mishi te mos perthahet. 

Nderkohe grijme trashe perimet e tjera. 
Shkrijme nje luge gjalp ne pak vaj ulliri dhe i skuqim ne zjarr shume te ulet. Mua me mjaftojne 5 minuta, pasi i preferoj perimet gati te gjalla.  
Pasi mishi te jete zier dhe t'i kete ngelur shume pak leng, e perziejme me perimet e skuqura dhe i aromatizojme me xhinxher te  grire.

Per pergatitjen e rizotos shkrijme pak gjalp ne vaj dhe i shtojme orizin. E kaverdisim derisa te skuqet dhe e shuajme me leng perimesh. Ne mes se kohes se gatimit i shtojme gjalpin e kikirikeve, te cilin e kemi perzier me disa luge leng nga zierja e orizit.
E rregullojme me kripe dhe ne fund e hedhim ne nje forme unaze te lyer me gjalp, te cilen e permbysim mbi pjate. 

Ne mes te unazes hedhim harxhin dhe i servirim menjehere. 

Gjak e dhjame :D

Sunday, March 17, 2013

Tave me finoke dhe djathe dhije


Perberesit per 3 persona:

3 finoke
djathe dhije (i markes President)
4 luge panna
gjalp
kripe
piper
1 e verdhe veze
vaj ulliri

Pergatitja:
ndajme pergjysem finoket dhe i ziejme ne uje te bollshem e te kripur per afro 15 minuta.
Pasi i kemi kulluar mire, i shtrojme ne nje tave te lyer me gjalp.
Mbi çdo gjysem finoku vendosim nga nje fete djathe dhije.
Veç perziejme 4 luge pana te fresket me 2-3 luge vaj ulliri dhe te verdhen e vezes. E rregullojme me kripe dhe piper dhe ia hedhim persiper finokeve.
E pjekim taven ne furren e ngrohur paraprakisht ne temp. 200°C dhe e servirim te vaket....me byftek psh.
Gjak e dhjame :D




Monday, March 11, 2013

Muffin me gjalp kikirikesh




Muffin 

Perberesit per afro 20-25 cope:

240 gr miell 00
240 gr sheqer
120 gr gjalp ne temp. ambjenti
120 gr gjalp kikirikesh (peanut butter crunchy)
4 veze
2 luge mjalte lule portokalli
gjysem pako pluhur pjekes
100 gr çokollate e grire ne copa te vogla

Pergatitja:
rrahim me rrahes elektrik vezet me sheqerin. I shtojme 2 llojet e gjalpit dhe mjaltin.
Ne fund i hedhim miellin, pluhurin pjekes, çokollaten dhe i perziejme me shpejtesi te ulet.
Mbushim deri ne treçerek format e muffin dhe i pjekim ne furre ne temp. 180°C per afro 15-20 minuta derisa te fryhen dhe te formojne çarjet tipike te muffin.



Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...