Shkruaj perberesin ...

Thursday, May 31, 2012

Momente degjenerimi me nduja

Gjithçka filloi ne veren e vitit 1999. Ne nje pasdite te nxehte gushti kur zagushia s'te linte te mbushej me fryme e njerezia shullohej ne diell duke zene çdo meter katror bar te mundshem te pishines komunale, Ballakumja e z. Tironc vendosen te "arratisen" per nje fundjave ne Jesolo. Deri me ketu asgje interesante perpos faktit qe Ballakumja e z. Tironc sapo ishin njohur, e deri me ate dite Ballakumja kishte luajtur persosmerisht rolin e goces namuzqare qe nuk bie kollaj pre e tentacioneve, por ate dite te nxehte gushti, per faj nje te zagushie qe te linte pa fryme, Ballakumja theu te gjitha tabute e kaperceu  etapat e lojes se joshjes.
Por jo vetem te joshjes! Ky udhetim i pare ne çift beri qe, Ballakumja qe prej atij momenti te heqe dore nga qendrimi ne tavoline si i dikujt qe te jep pershtypjen se ka gelltitur bishtin e nje fshese oborri, nga porositja e pjatave qe nuk permbanin ushqime qe mund te laparosnin veshjen, nga perçapja 30 here e kafshates se bukes, nga porositja e perimeve te ziera, nga rikthimi i pjates pothuajse plot kamarierit, e te tjera regulla qe perbejne ate qe quhet "rregullorja e  bon-ton-it". Pra, ate dite te nxehte gushti Ballakumja 19-vjeçare vendosi te zhvishej nga te gjitha  komplekset e te ishte rob Zoti :) 
Perlau nje pjate te madhe me spaghetti me midhje dhe xhinxhivalle te shojtura ne vere te bardhe. Per here te pare ne jeten e vet fshiu me çapa buke lengun e mbetur te midhjeve e thau (kuptohet bashke me z.Tironc :D) nje shishe vere te bardhe...
Qe nga ajo nate e nxehte gushti, ne nje restorant ne bulevardin kryesor te Jesolo-s, filloi degjenerimi kulinar i Ballakumes, qe arriti kulmin ne veren e 2001, ku per nje jave konsumoi rregullisht 2-3 sufllaqe ne çdo vakt duke u bere keshtu klientja me e rregullt e nje restoranti grek ne Bruksel (ne rrugen perplot me restorante qe te çon Grand Place),
Sa me shume i shijonte keto vaktet ne restorante, aq me shume treguesi i peshores rritej!  
E me gjithe predikimet e familjareve per te riparuar demin e per te shkuar perseri tek pesha ideale e 45 kg, ja ku po ju them qe Ballakumja ska ndermend te heq dore. Ate nate te nxehte gushti ajo zbuloi pasionin per gjerat e mira. Ra ne dashuri me midhjet e xhinxhivallet, qe deri me atehere s'i fuste ne goje, veren e bardhe e spaghettit-al-dente, e kjo dashuri eshte si nje dipendence e embel per te. 
E keni degjuar ate transformimin qe i kane bere shprehjes popullore nga "kush kerkon, gjen" ne "kush gjen, kerkon prape"?... eh, pikerisht ne shprehjen e trasformuar gjen kuptim e gjithe kjo dipendence qe nder vite eshte bere degjeneruese per linjat e trupit. 
Ajo s'ngopet kurre duke kerkuar vazhdimisht gjera te reja, te mira dhe interesante per te kenaqur shqisat e nuhatjes dhe te shijes.
Por edhe z. Tironc nuk ben hajgare! Kur behet fjale per te ngrene, i nxjerr krye gjeni elbasanlli e nuk ndalet para asgjeje. Ndersa per blerjen e nje rrobe mendohet 100 here, perpara nje produkti ushqimor ne markatat me specialitete tipike i nxjerr parate prej portofoli me nje lehtesi te paperballueshme qe as Kundera s'do te dinte ta pershkruante :)
Javes qe shkoi me solli ne shtepi salsiçe pikante "'nduja", djathe kaçkavall pikant e mozzarella di buffala, te prodhuara e te porositura kastile ne Kalabri. 



 ('Nduja eshte nje salsiçe shume shume pikante qe perdoret me teper per t'i dhene shije salces se makaronave, por edhe me fasule eshte fantastike.)
Meqe keto kapriço i kushtuan familjes sa ç'i kushton pazari javor, Ballakumja mendoi qe ishte me e udhes te konsultohej me librat e internetin per receta te provuara e te mos bente shume eksperimente.
E pas nje kerkimi, gjeti disa receta shume te mira, te cilat i pergatiti gjate javes.







Receta e pare eshte "Spaghetti con la 'nduja calabrese"

Perberesit per 4 persona:

350 gr spaghetti
1 qepe e kuqe dhe e embel (per ato qe jetojne ne Itali: cipolla di Tropea)
500 gr domate te embla
2 luge gjelle, pra 60 gr 'nduja (ose edhe me teper, nese e deshironi shume pikante)
vaj ulliri extravergine
kripe
borzilok
djathe pecorino calabrese 

Pergatitja:
grijme ne feta te holla qepen dhe e skuqim ne vaj ulliri. Sapo te zbutet i shtojme 'nduja-n dhe e kaurdisim derisa te shperbehet. I shtojme domatet e prera ne thela dhe e gatuajme ne zjarr mesatar per afro 15 minuta.
E rregullojme me kripe dhe e aromatizojme me borzilok.
Veç ziejme ne uje te bollshem e te kripur spaghett-it. 
Mua me pelqen qe zierja te perfundoje ne tiganin ku pergatitet salca, prandaj disa minuta para perfundimit te zierjes, i heq spaghetti-t nga tenxherja dhe i hedh tek salca, bashke me nje garuzhde uje nga zierja e tyre. Kjo ben qe spaghett-it te thithin sa me shume aromat e salces dhe uji i zierjes se tyre te sherbeje si lidhes.
Ne fund i servirim te sperkatur me djathe pecorino kalabrez, qe eshte shume i ngjashem me djathin kaçkavall (kur ky eshte i bute), veçse percorino kalabrez para stazhonimit lyhet me spec djeges.






Ndersa receta e dyte qe provova jane muffin rroll, receten baze te te cileve e kam marre muaj me pare nga nje blog kuzhine ne italisht, por qe e modifikova duke i shtuar  'nduja-n e djathin kalabrez.

Muffin roll kalabrez

Perberesit per rreth 15 cope:

500 gr brume i bymehur per pizza
1 thelb hudher
nduja
djathe pecorino calabrese
rigon 
kripe
vaj ulliri extravergine

Pergatitja:
e hapim ne pete brumin e bymehur.
Ne nje tas perziejme nje luge nduja me disa luge vaj ulliri derisa nduja te shnderrohet ne krem. Me kete krem lyejme te gjithe siperfaqen e petes..
E sperkatim  erezat e djathin e grire.
E rrotullojme si te ishte strudel dhe e presim ne feta me trashesi sa gjysma e formave te muffin.
I leme te bymehen ne vend te ngrohte per afro 20 minuta.
Nderkohe grijme imet hudhren dhe e skuqim ne vaj ulliri pa e djegur.



Ndezim furren ne temp. 200°C dhe pjekim muffin per afro gjysem ore derisa te marrin nje ngjyre te arte.
Sapo te dalin nga furra i sperkatim me hudhren e skuqur ne vaj ulliri dhe natyrisht pak vaj ulliri.
I servirim me vere te kuqe.










Muffin roll me ullinj 

Perberesit per rreth 15 cope:

500 gr brume i bymehur per pizza
ullinj te vegjel (olive taggiasche)
djathe pecorino calabrese
rigon 
kripe
vaj ulliri extravergine
gjalp


Pergatitja:
e hapim ne pete brumin e bymehur dhe e lyejme me vaj ulliri.
E sperkatim me djathin e grire, ullinjte dhe rigonin.
E rrotullojme si te ishte strudel dhe e presim ne feta me trashesi sa gjysma e formave te muffin.
I leme te bymehen ne vend te ngrohte per afro 20 minuta.
Nderkohe grijme imet hudhren dhe e skuqim ne vaj ulliri pa e djegur.
Ndezim furren ne temp. 200°C dhe pjekim muffin per afro gjysem ore derisa te marrin nje ngjyre te arte.
Sapo te dalin nga furra i lyejme ne siperfaqe me gjalp.

Gjak e dhjame :D
P.S.: kush di ndonje recete tjeter me 'nduja eshte i lutur te ma tregoje
P.P.S.: javes tjeter, me kismet Zotit, do ju percjell recetat me mozzarella di buffala, qe po i ruaj ne frigo si ujte e paket :P

1 comment:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...